3

Aktivitetet për “Ditën e Evropës” nisin me një debat me studentë në Universitetin “Isa Boletini”

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxhaj, ka mbajtur të hënën një debat me studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, duke filluar aktivitetet për shënimin e “Ditës së Evropës”. Integrimin evropian, ajo e ka vlerësuar si një synim strategjik të Kosovës.

Ministrja Hoxhaj, ka folur për angazhimin e insitucioneve vendore sa i përket procesit të integrimit evropian. “Jemi të angazhuara që të vazhdojmë procesin e reformave në administratë, gjyqësor etj, të cilat jo gjithnjë janë të lehta, por që janë të domosdoshme”.

Duke folur për rolin e të rinjve në procesin integrues, ajo tha se ata janë motori i këtij procesi. Sipas saj, sfidat nuk duhet të dekurajojnë të rinjtë, meqë ata janë e ardhmja e këtij vendi, që ka çka të merr nga vlerat evropiane, por ka edhe çka të ofroj.

Në takim me studentët ishte i pranishëm edhe rektori, Alush Musaj, i cili ka falënderuar ministren që ka zgjedhur Universitetin “Isa Boletini” për të nisur aktivitetet për “Ditën e Evropës”. Ai tha se  “Dita e Evropës” është një ngjarje që në Kosovë ka një kuptim të veçantë për shkak të rrethanave nëpër të cilat ka kaluar.

Sipas tij, vlerat evropiane janë shndërruar në një model të shoqërisë sot në gjithë botën.  “Ky model është edhe synimi ynë si shtet dhe si shoqëri. Ne na duhet ky standard jo për hatër të të tjerëve, por për hatër të rinisë dhe të ardhmes tonë”, theksoi ai.