ERMZ1230

Raporti i auditimit pa vërejtje për Universitetin “Isa Boletini”

Zyra Kombëtare e Auditimit nuk ka bërë asnjë vërejtje për Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”(UMIB), sa i përket vitit fiskal 2019. Në pjesën e raportit për UMIB-in si nënprogram i MASHT-it, auditori gjatë ekzaminimit të dokumentacionit të prezantuar bazuar në standardet e aplikuara ka dhënë opinion të pamodifikuar.

Në raport, auditori nuk ka adresuar asnjë çështje me arsyetim se dokumentacioni dhe dosjet e kërkuara janë përgatitur në të gjitha aspektet materiale, në pajtimin me kornizën e zbatueshme financiare. Vlerësim të njëjtë auditori kishte bërë edhe vitin e kaluar për UMIB-in.

Rektori i UMIB-it, prof.dr.Alush Musaj, tha se ky është edhe një lajm tjetër i mirë që tregon për punën profesionale në këtë institucion të arsimit të lartë në Kosovë, pas lajmit për riakreditim dhe rangim në webometrics. “Tashmë është bërë traditë që raportet e auditimit të jenë pa vërejtje për UMIB-in dhe kjo si rezultat i punës profesionale të stafit përgjegjës”, tha ai.

Ndërsa, drejtori për Buxhet dhe Financa në UMIB, Besim Kurti, sqaroi se procesi i auditimit ishte i bazuar në dokumentet që rregullojnë funksionimin financiar. “Në këtë kontekst, objekti i kontrollit ishin planifikimi, menaxhimi, shpenzimet, burimi  i të hyrave dhe kontrolli financiar i aktiviteteve të realizuara në të gjitha kategoritë ekonomike”.

Sipas tij, procesi i auditimit është kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit (SNISA).  “Sipas këtyre standardeve është prezantuar dhe kontrolluar dokumentacioni i kërkuar duke dhënë mundësinë e konsultimeve të përgjegjësve që mbulojnë fushat që ishin objekt i kontrollit. Dosjet e kërkuara ishin të mjaftuara që auditori i përgjithshëm të jep opinion profesional lidhur me menaxhimin financiar”, tha ai.