Takimi Me KSHC

Drejtuesit e AKA-së dhe KSHC-së vizituan UIBM

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Komisioni Shtetëror i Cilësisë (KSHC), do të mbështesin insitucionet e arsimit të lartë për ngritjen e cilësisë së tyre, duke krijuar parakushtet e nevojshme. Për këtë u diskutua të hënën gjatë një takimi ndërmjet drejtuesve të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), të udhëhequr nga rektori, prof.dr. Alush Musaj me drejtorin e AKA-së, Naim Gashin, kryetaren e Komisionit Shtetëror të Cilësisë (KSHC, prof.dr. Hasnije Ilazi si dhe anëtarin, prof.dr. Dukagjin Zeka.

Drejtori i AKA-së, Naim Gashi, potencoi se janë duke bërë përpjekje të mëdha për rikthim në ENCA. Në këtë kontekst, ai përmendi disa aktivitete të rëndësishme që janë duke  realizuar, sikur që është projekti për digjitalizimin e AKA – së.

Ndërsa, kryetarja e KSHC -së, prof.ass.dr. Hasnije Ilazi, tha se janë duke vizituar universitetet, për t’u njohur me situatën dhe specifikat që kanë secili prej tyre. “Jemi duke punuar që të krijojmë disa parime të përgjithshme për këto institucione, prandaj këto takime dhe diskutime janë në kuadër të këtij procesi”, theksoi ajo.

Sipas saj, aktualisht janë të përqëndruar në krijimin e shtyllave në aspektin ligjor, si Ligji për AKA, manuali i monitorimit, digjitalizimi etj. “Do të bashkepunojmë dhe koordinohemi në mënyrë që procesi për akreditim të shkojë mirë”.

Rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, falënderoi drejtuesit e AKA-së dhe KSHC-së për vizitën dhe mbështetjen e ofruar. “Bashkëpunimi ndërmjet AKA-së dhe KSHC –së me universitetet është domosdoshmëri, meqë sukseset në insitucionet e arsimit të lartë janë suksese të përbashkëta”, tha ai.

Pas takimit, drejtuesit e AKA-së dhe KSHC-së të shoqëruar nga rektori Musaj, vizituan kampusin universitar.