1

Filloi punëtoria e dytë ndërkombëtare “Dual Curricula – Study and Work Practice in Agriculture and Food Safety”

Ka filluar të martën në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), punëtoria e dytë ndërkombëtare me titull: “Dual Curricula – Study and Work Practice in Agriculture and Food Safety”, në kuadër të projektit “DualAFS”.  Pjesëmarrës në këtë projekt, përveç atyre nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore në UIBM, janë edhe përfaqësues të universiteteve partnere në këtë projekt: Universiteti “Nuertingen-Geiingen” nga Gjermania, i cili është partner udhëheqës, Universiteti “Savonia” nga Finlanda, Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës, nga Shqipëria, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, para fillimit të punëtorisë, i shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, prof.dr. Milam Sadiku, ka pritur në takim profesoreshën, Ardita Jahja – Hoxha, nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Finlandë, e cila është edhe pjesë e këtij projekti. Musaj vlerësoi punën e mirë që po bëhet në kuadër të projektit “DualAFS”, duke pasur parasysh edhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet universiteteve publike.

Në hapje të punëtorisë, një fjalë rasti e mbajti prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Kërkime Shkencore, prof.dr. Behxhet Shala, i cili ju uroi sukses pjesëmarrësve të punëtorisë.  Ai tha se UIBM po zhvillon politika dhe mekanizma për avancimin e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, duke përfshirë nxitjen e bashkëpunimit me partnerë të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë.

Sipas tij, kjo përpjekje ngre nevojën për të përshtatur kurrikulat në mënyrë që ato të jenë sa më produktive dhe të zbatueshme. “Ky projekt është një nga ato thelbësore në arritjen e këtij objektivi, në këtë rast në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore”, tha ai.

Ndryshe, projekti “DualAFS” synon zhvillimin e njohurive të studentëve dhe punësimin e të diplomuarve , po ashtu përmirësimin e konkurrencës në shkencat e bujqësisë dhe blegtorisë, përpunimit të ushqimit dhe përmirësimin e konkurrencës së bizneseve dhe përfituesve të tjerë në bujqësi e blegtori dhe cilësinë e sigurinë e produkteve ushqimore me prejardhje shtazore.

Në kuadër të kësaj punëtorie do të mbahet edhe një konferencë ndërkombëtare, ku do të jenë të ftuar partnerë të universiteteve  nga sektori i biznesit, nga institucionet publike dhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, po ashtu nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Në konferencë do të prezantohen rezultatet e sondazhit të zhvilluar në Kosovë me biznese ushqimore, fermerë, studentë, stafin akademik dhe institucionet publike.

Prezantime do të ketë nga bizneset partnere të universiteteve në Evropë, të cilat do të japin shembuj mbi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit mes bizneseve dhe universiteteve. Gjatë konferencës do të diskutohet rëndësia e bizneseve si partnere të universiteteve për mësimin praktik dhe për aftësimin e studentëve. Në konferencë do të diskutohet, gjithashtu, për qendrat e të mësuarit gjatë gjithë jetës, që do të themelohen në kuadër të universiteteve. Punëtoria do të zgjas tri ditë.

Agjenda

3

Multidisciplinary International Conference on Geosciences- "GEOSCIENCES AND SUSTAINABLE DEVELOPMENT"
13-14 October 2022, Mitrovicë, Kosova

X