Fotoja Nga Takimi

Kompania “HPC AG” mbështetë studentët e UMIB-it

Studentët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) janë duke përfituar nga projektet e bashkëpunimit të Universitetit me kompani të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Edona Sadriu, studente e nivelit master në programin Inxhinieri Mjedisore të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, me mbështetje të kompanisë lidere në botë sa i përket inxhinierisë mjedisore “HPC AG”, do ta kryej praktikën në  zyrën e Kriftelit në Frankfurt  të Gjermanisë me mbështetje financiare të kompanisë.

Kjo ka ndodhur pas përfundimit të projektit 3-vjeçar “Menaxhimi i Zonave të Kontaminuara” të  përkrahur nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ-i) dhe implementuar  nga kompania “HPC AG”  në bashkëpunim me UMIB-in. Studentja që ka përfituar në kuadër të këtij projekti, ka nënshkruar kontratën në prani të dekanit të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, prof.dr. Milaim Sadiku dhe Ali Ahmetit, drejtor i kompanisë “HPC AG” për Ballkan.

Dekani Sadiku, e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me këtë kompani si dhe projektin e realizuar sa i përket menaxhimit të zonave të kontaminuara. Ndërsa, drejtori Ahmeti, tha se  kompania është e interesuar që njohuritë e ekspertëve me renome botërore t’i bartë tek të rinjtë e të rejat e Kosovës, e sidomos tek studentët e UMIB-it.

Ndryshe e gjithë kjo mbështetje, sipas tij, është edhe si rezultat i bashkëpunimit profesional në mes të kompanisë dhe UMIB-it, por edhe si rezultat i angazhimit të Dr.Christoph Olk, njërit nga drejtuesit e projektit në fjalë, i cili aktualisht është menaxher i  zyrës së “HPC AG” në  Kriftel të Gjermanisë.