MLK

Kompania MLK ofron mundësi edukimi profesional dhe punësimi për studentë

Studentët e Fakultetit të Gjoeshkencave (FGJ) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), do të mund të bëhen pjesë e Programit të Edukimit Profesional dhe Punësimit që realizohet nga kompania “Moxico Luma Kosovo Mining L.L.C” (MLK). Për këtë qëllim të mërkurën u nënshkrua edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet MLK-së, të përfaqësuar nga drejtori menaxhues, Burim Asllani si dhe UIBM dhe FGJ, të përfaqësuar nga rektori, prof.dr. Alush Musaj dhe dekani, prof.dr. Naser Peci.

Drejtori i MLK-së, Burim Asllani, tha se qëllimi i bashkëpunimit është mbështetja e studentëve të FGJ-së, por edhe e të tjerëve për praktikën profesionale që ofrohet në projektet e hulumtimit – zbulimit dhe shfrytëzimit minerar në Kosovë. Sipas tij, studentët do të angazhohen në bazë të një orari të përgatitur nga dekani dhe secili student do të nënshkruaj një kontratë për punë praktike me kompaninë, ku përfshihet edhe shkalla e kompensimit dhe sigurimit shëndetësor.

Ai bëri të ditur se MLK-së i është dhënë statusi i investitorit strategjik nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht të drejtat për të zhvilluar projektin “Hulumtim-shfrytëzimi minerar në zonat: Gumnishtë, Karaç dhe Vllahi”. “Mundësia për të angazhuar studentët në një Program për edukim dhe punësim profesional, konsiderohet të jetë me interes për komunitetin, sektorin e minierave dhe vetë kompaninë”, tha ai.

Ndërsa, rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, falënderoi drejtuesit e MLK-së për mundësinë e ofruar për studentët. “Është një mundësi jashtëzakonisht e mirë për ngritjen profesionale të studentëve nëpërmjet përfshirjes në një program të tillë hulumtimi, ku do të jenë të pranishëm ekspertë të fushës me renome”, tha ai.

Në Marrëveshjen e nënshkruar janë detajuar obligimet e secilës palë, që kanë të bëjnë me angazhimin e studentëve, aktiviteteve të ndryshme si, seminare, vizita studimore, kërkime të përbashkëta etj.