Rektori Musaj

Konferenca e Rektorëve: Prej të hënës nis mësimi online në të gjitha universitetet

Rektorët e universiteteve publike dhe ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, kanë mbajtur të martën një konferencë online, ku kanë biseduar për organizimin e mësimit online, pas situatës së krijuar nga Covid-19.  Në takim u vendos që të fillojnë përgatitjet e duhura dhe prej javës së ardhshme të filloj mësimi online në të gjitha universitetet.

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr.Alush Musaj,  tha se tashmë kanë nisur përgatitjet për mësimin online dhe ka pasur edhe ndonjë mësimdhënës që ka filluar këtë formë pune me studentë. “Varësisht nga përgatitjet e njësive akademike mësimi online mund të filloj që nga nesër. Studentët do të njoftohen me kohë nëpërmjet emaileve për  mësimin online sipas orarit të rregullt”, tha ai.

Rektori Musaj ka mbajtur edhe një konsultë online me menaxhmentin, për të filluar përgatitjet e duhura.  Sipas tij, janë caktuar përgjegjësit për anën teknike të këtij organizimi dhe pritet që gjithçka të shkoj mirë.