Takimi Per Kon

“Konferenca III Ndërkombëtare për Gjeoshkencë”, mbahet më 14 dhe 15 tetor 2021

Këshilli Organizativ për “Konferencën III Ndërkombëtare për Gjeoshkencë”, i përbërë nga përfaqësues të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të enjten ka vendosur që edicioni i tretë i kësaj konference të mbahet më 14 dhe 15 tetor 2021. Në u takim u bisedua  për detajet që kanë të bëjnë me organizimin duke pasur parasysh rrethanat me pandemi, për çka do të veprohet në bazë të situatës dhe udhëzimeve të institucioneve përkatëse, për mbajtjen e konferencës fizikisht apo online.

Në takim ishte i pranishëm edhe rektori i UIBM, prof.dr.Alush Musaj, i cili përgëzoi anëtarët e Këshillit Organizativ për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë sa i përket kësaj konference. “Sivjet është edicioni i tretë i kësaj konference, është krijuar një traditë e mirë dhe në të njëjtën kohë një imazh i jashtëzakonshëm për Universitetin dhe institucionet tjera që janë pjesë e organizimit”, tha ai.

Ndërsa, koordinatori i Këshillit Organizativ, Sabri Avdullahi, tha se përkushtimi i anëtarëve që pjesë e organizimit ka mundësuar që Konferenca për Gjeoshkencë të rrugëtoj suksesshëm. “Jemi të bindur se gjithçka do të shkoj mirë dhe ky edicion ashtu si dy të parët do të jetë i suksesshëm dhe do të zgjoj interesim  të studiuesit vendorë dhe ndërkombëtarë”, tha ai.

Për detajet që tjera sa i përket pjesëmarrjes dhe aspekteve të tjera të interesuarit do të njoftohen më kohë.