Masht 673×365

Konkurs për ndarjen e bursave për studentët elitarë të universiteteve publike të niveleve: baçelor dhe master për vitin akademik 2019-2020

Konkurs për ndarjen e bursave

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, bazuar në Udhëzimin administrativ nr. 14/2017 për ndarjen e bursave, Vendimin nr. 41/01B, të datës 22.05.2020 dhe duke marrë parasysh rrethanat e shkaktuara nga pandemia COVID – 19 shpall:

KONKURS PËR NDARJEN E BURSAVE PËR STUDENTËT ELITARË TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE TË NIVELEVE: BAÇELOR DHE MASTER PËR VITIN AKADEMIK 2019-2020

Kushtet dhe kriteret:

Për fitimin e bursës së MASHTI – t, kandidatët duhet t’i plotësojnë këto kushte dhe kritere bazë:

1.1. Të jenë shtetas të Republikës së Kosovës;

1.2. Të kenë përfunduar vitin e parë në studimet BA ose vitin e parë në studimet MA;

1.3. Të kenë të përfunduar vitet akademike paraprake, pa përsëritje të vitit;

1.4. Të drejtë aplikimi kanë studentët e të gjitha fushave të studimit;

1.5. Të drejtë aplikimi kanë studentët që kanë notën mesatare të studimeve së paku 9.0 të arritur në afatin e provimeve të shtatorit të vitit 2019.

Mënyra e aplikimit:

Duke marrë parasysh rrethanat e shkaktuara nga pandemia COVID-19, MASHTI vendos që aplikimi për këtë vit të bëhet përmes Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve të Universiteteve publike (SMU). Studentët duhet të aplikojnë në institucionet ku ata studiojnë, në rastin e Universitetit të Mitrovicës studentët aplikojnë në SMU të UMIB. Universitetet publike krijojnë kushtet e nevojshme për të mundësuar aplikimin e studentëve në këto platforma sipas kushteve të këtij konkursi dhe lansojnë konkursin brenda platformave të tyre.

Aplikimi elektronik do të jetë i hapur nga data 08.06.2020 deri më datë 29.06.2020. Lista përfundimtare e studentëve të cilët përmbushin kushtet dhe kriteret për të qenë përfitues të bursës të MASHTI – t, dorëzohen nga universitetet publike në MASHTI.

Lista e studentëve përfitues do të bëhet publike në ueb faqen e MASHTI – t.

Këshilla juridike:

Kandidatët që kanë aplikuar për përfitim të bursës, kanë të drejtë ankese në afat prej 7 (shtatë) ditësh, pas shpalljes së rezultateve. Ankesat dorëzohen në arkivin e MASHTI-t, kati përdhes, zyra nr. 4 dhe shqyrtohen nga komisioni për ankesa dhe parashtresa i MASHTI – t.