IMG Dc8665f8b4496fd29408ed5590c5814a V

Koordinatori i Qendrës Kulturore të Kosovës në Bursë, vizitoi UMIB-in

Bashkëpunimi ndërmjet universiteteve kosovare dhe atyre në Turqi, ka ndihmuar shumë studentë nga Kosova që të përfitojnë nga mundësitë që ofrohen atje. Për këtë është biseduar në një takim të përbashkët ndërmjet rektorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, dhe koordinatorit te Qendrës Kulturore të Kosovës në Bursë, Rexhep Gunduz, i cili të mërkurën qëndroi në Mitrovicë.

Rektori Musaj, e njoftoi mysafirin për komunikimin e rregullt dhe bashkëpunimin e frytshëm që kanë me universitetet në Turqi. “Si rezultat i bashkëpunimit kemi shumë studentë, por edhe mësimdhënës që kanë përfituar  në kuadër të projekteve të përbashkëta”.

Ai gjithashtu e falënderoi, koordinatorin Gunduz, për ndihmën e pakursyer sa i përket bashkëpunimit ndëruniversitar. Gjithashtu rektori, Musaj, ka vlerësuar lartë angazhimin dhe kontributin e z. Gunduz, sa i përket prezantimit sa më të mirë të shqiptarëve në Turqi.

Në anën tjetër, Gunduz, ka falënderuar rektorin për pritjen dhe e ka uruar atë për kampusin e ri universitar. “Sa herë vijë shoh përparim në Kosovë dhe kjo më gëzon pa masë. E di që ka probleme, mirëpo ka edhe suksese”, tha ai, duke shprehur vendosmërinë e thellë për të vazhduar angazhimin sa I përket thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.