Me Kryeministrin

Kryeministri Hoti, priti në takim rektorët e universiteteve publike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Abdullah Hoti, ka pritur në takim rektorët e universiteteve publike, me të cilët bisedoi për zhvillimin e arsimit të lartë në vend. Në takim mori pjesë edhe rektori i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), prof.dr.Alush Musaj, i cili e uroi kryeministrin për detyrën dhe për mbështetjen e tij dhe të ministrit të Arsimit për universitetet publike.

Në takim, rektori e njoftoi kryeministrin për sfidat dhe sukseset e jetës akademike në Mitrovicë. Ai foli për konsolidimin e UMIB-it dhe për kampusin e ri universitar, që ka krijuar kushte jashtëzakonisht të mira për studentë  dhe profesorë. “Pas 30 vjetësh rrugëtimi jashtë objekteve universitare në veri të qytetit, jemi vendosur në kampusin e ri universitar të  ndërtuar me mjete të Qeverisë së Kosovës, për çka jemi shumë mirënjohës”.

Gjithashtu u shtruan për diskutim edhe tema të tjera të rëndësishme për universitetet, si statutet e përkohshme, legjislacionin, projektet hulumtuese etj. Për të gjitha këto rektorët morën zotimin e kryeministrit për të lëvizur përpara në mënyrë që të krijohen kushte sa më të mira për punën e universiteteve.

Kryeministri Hoti, tha pas takimit se se rektorët i ka njoftuar me programin qeverisës për fushën e arsimit. “U dakorduam për takimet e rregullta sa u përket prioriteteve që kemi ne në program, duke filluar nga ndryshimet e nevojshme ligjore që duhet të ndodhin në arsimin e lartë për t’i përgatitur këto institucione për nevojat e tregut të punës në Kosovë dhe më gjerë”, tha kryeministri Hoti.

Po ashtu, kryeministri Hoti tha se me rektorët janë pajtuar edhe për nevojën që të punojnë së bashku për të profilizuar universitet publike, gjithmonë në përputhje me standardet e cilësisë dhe nevojën e tregut të punës jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. “Do t’i ndihmojmë të gjitha këto institucione që të plotësojnë kushtet sa i përket kërkesave që ka Agjencia për Akreditim e Kosovës dhe gjithashtu u dakorduam për disa veprime të menjëhershme që duhet të ndodhin në arsimin e lartë publik sa i përket miratimit të statuteve në Kuvendin e Kosovës të universiteteve, në mënyrë këto universitete të kenë mundësi të rrisin pavarësinë dhe autonominë e tyre nga Ministria e Arsimit, përfshirë edhe pavarësinë financiare duke filluar nga 1 janari i viti 2021”, tha Hoti.