20210201 132911

Marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Kosovës për Siguri Publike

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), do të bashkëpunojnë në fusha me interes reciprok. Për këtë qëllim të hënën u nënshkrua edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi nga rektori i UIBM, prof.dr.Alush Musaj dhe drejtori  i përgjithshëm i AKSP-së, Arton Berisha.

Rektori Musaj, e falënderoi drejtorin Berisha për vizitën dhe për gatishmërinë për të bashkëpunuar si dy institucioneve akademike në të mirë të rritjes së cilësisë në të dy institucionet. Sipas tij, bashkëpunimi do të shtrihet në fushën e arsimit të lartë, hulumtimit dhe zhvillimit, aktiviteteve studentore dhe programeve relevante për komunitetin.

Drejtori i AKSP-së, Arton Berisha, u shpreh i kënaqur për mundësinë e bashkëpunimit me UIBM. “Presim rezultate konkrete nga bashkëpunimi ndërmjet institucioneve tona, kapacitetet  e të cilave do të jenë në shërbim të stafit akademik dhe studentëve tanë”.

Në marrëveshje parashihet që  bashkëpunimi të përfshij shkëmbimin akademik, ligjëratat ftuese nga profesorët vizitues, mandej ofrimin e vlerësimeve të jashtme për aktivitetet e përzgjedhura akademike dhe profesionale. Poashtu bashkëpunimi do të përfshij edhe angazhimin e personelit në ligjërimin e lëndëve shkencore dhe në komisionet vlerësuese gjatë përzgjedhjes së personelit akademik sipas nevojës së palëve, bashkëpunimin në zhvillimin e përbashkët të projekteve mes menaxhmentit dhe personelit akademik të institucioneve partnere etj.

Marrëveshje është nënshkruar për një kohë të pacaktuar.

20210201 130747