Fotoja FTU.

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet FTU-së dhe Stonecastle Vineyards and Winery L.L.C.

Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore (FTU) dhe Stonecastle Vineyards and Winery L.L.C. në Rahovec, do të bashkëpunojnë në fusha me interes reciprok. Për këtë qëllim u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi nga dekani i FTU-së, prof.dr. Milaim Sadiku dhe drejtori i Stonecastle Vineyards and Winery L.L.C. Avdi Gecaj,  për të specifikuar fushat me interes.

Marrëveshja siguron programe të përbashkëta bashkëpunimi dhe ndihmë reciproke. Gjithashtu palët bien dakord që të hartojnë projekte dhe të zbatojnë projekte, programe dhe aktivitete nga fusha e inxhinierisë dhe teknologjisë ushqimore.

Sa i përket aktiviteteve, planifikohet ndihma teknike për studentët në realizimin e punimeve të seminareve dhe në punimin e diplomave në të gjitha nivelet e studimit. Parashihet edhe ndihma teknike në realizimin e punës praktike për studentët e FTU-së, në programin e studimeve Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore.

Aktivitet tjetër i paraparë në këtë marrëveshje është bashkëpunimi profesional – shkencor në aspektin e përgatitjes së të dhënave dhe dokumentacionit teknik, duke kyçur në punë punëtorët shkencor profesional të dy institucioneve si dhe studentët e FTU-së. E gjithë kjo  me qëllim të realizimit të programeve  mësimore apo të hulumtimeve të përbashkëta.

Dekani Sadiku dhe drejtori Gecaj, shprehën vullnetin e tyre për zbatimin e kësaj marrëveshje me interes reciprok për FTU-në dhe  Stonecastle Vineyards and Winery L.L.C.