Marreveshja Me UP

Marrëveshje për trajnimin e stafit akademik të UIBM në Qendrën për Përsosmëri në Mësimdhënie në UP

Stafi akademik i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), do të shfrytëzojë kapacitetet e Qendrës për Përsosmëri në Mësimdhënie në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP), për fillimin e procesit të trajnimit. Për këtë qëllim të enjten u nënshkrua një Marrëveshje Mirëkuptimi ndërmjet dy universiteteve nga rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj dhe rektori i UP-së, prof.dr. Naser Sahiti.

Kjo Marrëveshje Mirëkuptimi ka për qëllim të rregulloj mundësinë e trajnimit të personelit akademik  të UIBM në Qendrën për Përsosmëri në Mësimdhënie (QPM) të UP-së, për të siguruar përsosmëri në mësimdhënie dhe avancimin e aftësive dhe kompetencave të personelit akademik të UIBM-së. Si e tillë ajo realizohet me kërkesë të rektorit Musaj, mbështetur edhe në marrëveshjen e vitit 2015 ndërmjet UP-së, UIBM-së dhe Ministrisë së Arsimit, sipas të cilës UP-ja do të ndihmojë UIBM në fushat akademike.

Rektori Musaj, e falënderoi homologun e tij nga UP-ja për gatishmërinë që të jetësohet ky bashkëpunim që ka të bëj me trajnimin e stafit akademik në UIBM. Në anën tjetër, rektori Sahiti, u shpreh i lumtur që Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie mund të ndihmojë UIBM në këtë drejtim..

Në marrëveshje janë specifikuar detyrat dhe përgjegjësitë e palëve, ku ndër të tjera parashihet që Qendra për Përsosmëri në Mësimdhënie (QPM) e UP-së, do të ofrojë trajnime  në nivelin bazik dhe të avancuar  për personelin akademik  të  UIBM-së. Në anën tjetër, UIBM përcakton listën e personelit akademik  që  do të jenë  pjesëmarrës në  trajnimet e organizuara nga QPM e UP-së.

Është specifikuar se trajnimet e personelit akademik të UIBM do të mbahen në hapësirat e parapara, ose në  mënyrë virtuale, sipas orarit dhe  aktiviteteve të përcaktuara nga QPM e UP-së. Në anën tjetër, personeli akademik i UIBM-së janë të obliguar të ndjekin të gjitha sesionet e planifikuara në kuadër të trajnimeve të organizuara nga QPM e UP-së.

Sa i përket vlerësimit të performancës së personelit akademik të UIBM-së gjatë zhvillimit të trajnimeve nga QPM e UP-së, ajo do të bëhet në pajtim me rregulloret e përcaktuara nga QPM. QPM obligohet që për personelin akadamik të UIBM-së, të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimet, t’i pajisë me certifikatë të QPM të UP-së.

Pas takimit, rektori i UP-së i cili shoqërohej edhe nga prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar, prof.asoc.dr. Albulena Blakaj, bashkë me nikoqirët vizituan kampusin universitar të UIBM.