Foto Nga Takimi

Ministrja Nagavci takoi rektorët e universiteteve publike

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), prof.dr. Alush Musaj,  ka marrë pjesë në një takim me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila ka pritur rektorët e universiteteve publike, ku është biseduar për gjendjen në arsimin e lartë. Ajo është shprehur se  miratimi i Ligjit të ri për Arsimin e Lartë dhe infrastrukturës përcjellëse është një nga prioritetet e Qeverisë.

Gjithashtu në takim u fol edhe për nevojën e përmirësimit të infrastrukturës, në mënyrë që të ketë shërbime më të mira për studentët. Poashtu u potencua domosdoshmëria e koordinimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë për ngritjen e cilësisë në arsim.

Një çështje tejet me rëndësi që u shtrua në takim ishte edhe rishikimi i sistemit të financimit dhe profilizmi i universiteteve publike. Ministrja Nagavci shprehu gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar më udhëheqësit e këtyre institucioneve në kërkesat e tyre si: krijimi i mundësisë unike për qasje në literaturë, funksionalizmi i sistemit antiplagjiaturë, krijimi i rrjetit bibliotekar dhe çështje të tjera.

Zëvendësministri Dukagjin Pupovci, prezantoi programin qeverisës që ndërlidhet me arsimin e lartë dhe me punën kërkimore-hulumtuese dhe inovacionin.