Marreveshja E Bashkepunimit

Mundësi për punë praktike që paguhet si punë sezonale në Turqi, për studentët e UMIB-it

Studentët e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, do të kenë mundësi që ta kryejnë praktikën profesionale në fushën e hotelerisë dhe turizmit dhe në të njëjtën kohë të paguhen si punë sezonale në Turqi. Për këtë është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit “Isa Boletini”, Kompanisë së konusltimeve “AYT – Career” nga Turqia dhe agjencioni “Alba Berisha Consulting” në Prishtinë.

Marrëveshja është nënshkruar të enjten në Mitrovicë  nga rektori, Alush Musaj, mandej Hakan Behadir Sert nga  “AYT – Career” dhe Albana Berisha nga “Alba Berisha Consulting”. Kjo marrëveshje u vlerësua mjaft e rëndësishme për studentët, të cilët do të mund të kryejnë praktikë profesionale dhe në të njëjtën kohë të paguhen.

Në kuadër të marrëveshjes parashihet që praktika të kryhet në fushën e hotelerisë, në profesionet si udhëheqës i grupeve, kamarier, kuzhinier, mirëmbajtës, recepcionist etj. Puna profesionale planifikohet të zgjas 6 muaj dhe në fund për studentët do të ndahen certifika vlerësimi dhe referenca induviduale.

Në marrëveshje është precizuar se studentët që përzgjedhen për të shkuar në Turqi do ta kenë falas biletën për shkuarje dhe ardhje, do të kenë pagesë mujore, duke përfshirë edhe sigurimin shëndetësor etj.

Për më shumë detaje lidhur me mundësitë që ofrohen në kuadër të kësaj marrëveshje, do të organizohet një ditë informuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, për të cilën studentët do të njoftohen me kohë.