Tryyeeza

Ndërlidhja e programeve me industri e bën UIBM një institucion me rëndësi strategjike

Programet specifike dhe ndërlidhja e tyre me industrinë kosovare, e bëjnë Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), një institucion të një rëndësie strategjike. Kështu u vlerësua në konferencën virtuale: “Sukseset, sfidat dhe vizioni për zhvillimin e UIBM-së”, që u mbajt të premten në kuadër të shënimit të 8-vjetorit të themelimit të UIBM.

Rektori, Alush Musaj, foli për rrugëtimin e këtij institucioni të arsimit të lartë, i cili fal punës dhe angazhimit të menaxhmentit, stafit akademik, administratës, studentëve dhe institucioneve lokale e qendrore është konsoliduar shumë shpejtë. “Ajo që dikur ishte ëndërr, tash është realitet. Kemi kampusin më të mirë universitar në rajon, kemi një staf të kualifikuar dhe programe shumë atraktive për tregun e punës që garantojnë të ardhmen e sigurtë”, tha ai.

Për organizimin e administratës në UIBM, foli sekretari i përgjithshëm, Xhelal Smakiqi. Ai tha se përvoja e ish-punëtorëve që kanë qenë në fakultetet e mëhershme ka bërë që puna të shkoj shumë mirë, përderisa stafi i ri është treguar shumë profesional. “Kemi ende nevojë për funksionalizimin e disa zyrave në kuadër të administratës së përgjithshme, në mënyrë që të rritet edhe më shumë perfomanca”.

Për sfidat dhe vizionin për të ardhmen e UIBM, folën edhe dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, Naser Peci, mandej profesoresha, Sadija Kadriu, drejtori i Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe kryetarja e Parlamentit Studentor, Edona Haxhimehmeti, Besart Hajrizi. Ndërsa në fund u ndanë mirënjohje postmortum për profesorët: Afrim Dushi, Mursel Rama dhe Shefqet Ibrahimi.