Ferronike

Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë-Fakulteti i Gjeoshkencave dhe NewCoFerronikeli

Me qëllim të rritjes dhe avancimit të bashkëpunimit, të mërkurën në objektin e kompleksit industrial NewCoFerronikeli në Drenas u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi në mes të Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë, Fakulteti i Gjeoshkencave dhe NewCoFerronikeli. Marrëveshja u nënshkrua mes përfaqësuesve nga NewCoFerronikeli: Genci Beribashi – Zëvendës Menaxher Gjeneral; Learta Berisha Vërbiqi – Menaxher Administrate&Resurse Njerezore; Blerim Gashi – Zyrtar Ndërlidhës Komunitet si dhe UIBM – FGJ: prof dr. Naser Peci, Dekan dhe prof. asoc.dr. Zarife Bajraktari Gashi, shefe departamenti materiale&metalurgji

Studentët e Fakultetit të Gjoeshkencave (FGJ) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), do të mund të bëhen pjesë e Programit të Edukimit Profesional dhe Punësimit që realizohet nga kompania NewCoFerronikeli.

Zëvendës menaxheri Genci Beribashi potencoi se NewCoFeronikeli do të mbështesë implementimin e pikave të marrëveshjes me theks të veçant mundësimin e studentëve për kryerjen e praktikave në kuadër të planprogrameve mësimore, praktikave pas përfundimit të studimeve në formë praktike si dhe punësim.

Dekani FGJ, prof.dr.Naser Peci falenderoi NewCoFerronikeli për mundësinë dhe realizimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit që ndikon në zhvillimin akademik në mësimdhënie dhe mësimnxënie të stafit dhe studentëve. Kjo formë e bashkëpunimit krijon mundësi shumë të mira për avancimin e dyanshëm nga fushëveprimi që mbulojmë sipas praktikave më të mira të bashkëpunimit universitet-industri.

Ndërsa, prof. asoc. dr. Zarife B Gashi theksoi mbi mënyrat e realizimit të praktikave nga ana e studentëve si dhe pritjen e mirë dhe profesionale nga ana e stafit të NewCoFerronikeli. Mundësia e praktikës dhe punësimit paraqet një stimulim shtesë për të studiuar drejtimet në Fakultetin e Gjeoshkencave.

Në Marrëveshjen e nënshkruar janë detajuar obligimet e secilës palë, që kanë të bëjnë me angazhimin e studentëve, aktiviteteve të ndryshme si, seminare, vizita studimore, kërkime të përbashkëta, etj. nga fushat e përgjithshme të bashkëpunimit.