Fjj

Përfaqësues të KFOR-it zviceran vizituan Fakultetin Juridik

 Më 16.03.2023, dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), prof. asoc. dr. Islam Qerimi, së bashku me prof. ass. dr. Zahir Çerkini kanë pritur përfaqësues të KFOR-it zviceran, të cilët kanë mandatin nga Dhoma e Lartë e Asamblesë Federale të Zvicrës të shërbejnë në kuadër të forcës paqeruajtëse zvicerane në Kosovë, deri në vitin 2026.

Vizitorët  u njoftuan me funksionimin e Fakultetit Juridik në kuadër të Universitetit “Isa Boletini”, për numrin e studentëve të cilët regjistrohen në këtë fakultet, për stafin akademik dhe administrativ, për kushtet si dhe për cilësinë e studimeve.

Ata gjithashtu, trajtuan çështjet aktuale të sigurisë në Mitrovicën e Veriut, si dhe për format dhe metodat e mundshme politike dhe juridike të cilat qojnë në stabilizimin e kësaj gjendjeje akoma të brishtë.  Përfaqësuesit e KFOR-it dhe drejtuesit e e Fakultetit Juridik u dakorduan që KFOR dhe Fakulteti Juridik të organizoj një konferencë ndërkombëtare, që ndërlidhet drejtpërdrejtë me sigurinë e qytetarit dhe të shoqërisë në përgjithësi në Republikën e Kosovës dhe më gjerë, ku referues do të jenë ekspertë të KFOR-it, stafi akademik i këtij Fakultetit si dhe ekspertë vendor dhe të huaj.

Dekani Qerimi falënderoi përfaqësuesit e KFOR-it, për zhvillimin e kësaj vizite e cila do të shërbej si një fillim i mbarë i njohjes reciproke dhe të bashkëpunimit ndërmjet tyre.

Në fund dekani Qerimi në shenjë mirënjohje për vizitën e tyre, u dhuroi dy dhurata simbolike:  Hyjnesha në fron, si dhe librin e Kanunit të Lekë Dukagjinit. Dhuratat e falura kishin të bëjnë me historiografinë dhe të drejtën tradicionale të shqiptarëve, që argumentojnë shkencërisht për lashtësinë e autenticitetit të shqiptarëve në këto troje, si pasardhës të Ilirëve deri më sot.

Për fund përfaqësuesit e KFOR-it, u falënderuar për pritjen e bërë si dhe shprehen gatishmërinë që bashkëpunimi me Fakultetin Juridik të intensifikohet në formën e mbajtjes së ligjëratave të dyanshme si dhe për organizimin e tryezave dhe konferencave të përbashkëta.