Mjekesia

Përmbyllet fushata informuese nëpër shkollat e mesme për mundësitë e studimeve në UIBM

Ka vazhduar fushata informuese nëpër shkollat e rajonit të Mitrovicës për programet dhe kushtet e studimit në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) për vitin akademik 2022/23. Në këtë kuadër të premten janë mbajtur takime informuese me nxënësit e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Xheladin Deda” në Mitrovicë si dhe me nxënësit e shkollave të mesme në Komunën e Skenderajt.

Fushata informuese është organizuar nga Zyra për Informim dhe Komunikim me Publikun, përkatësisht Qendra për Zhvillim në Karrierë së bashku me Parlamentin Studentor dhe Këshillat e Studentëve nëpër njësi akademike. Gjatë kësaj fushate, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga fakultetet, janë realizuar vizita dhe janë mbajtur takime informuese nëpër të gjitha shkollat e mesme të Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skenderajt.

Nxënësit përveç se janë njoftuar për programet e studimit në UIBM, atyre u janë shpërndarë broshura dhe materiale të tjera informuese dhe kanë pasur rastin që të ndjekin edhe video të kampusit universitar, sallave të mësimit, kabineteve, laboratorëve, bibliotekave etj. Zyrtari i lartë i QZHK-së, Alban Fazliu, falënderoi  drejtorët e shkollave për korrektësinë dhe mundësitë e ofruara për  zhvillimin e kësaj fushate informuese.

Aktivitete të tjera informuese për të rinjtë që duan të studiojnë në UIBM do të organizohen edhe në periudhën që do të hapet konkursi për pranim të studentëve në vitin e ri akademik.