Mirsad Kuteli

Poeti, Mirsad Kuteli, dhuron 300 libra për Bibliotekën Universitare

Poeti, Mirsad Kuteli, i ka dhuruar 300 libra për Bibliotekën Universitare në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Në mesin e tyre janë gjashtë tituj, ku përfshihen libra me poezi, aforizma dhe drama.

Kuteli shprehu kënaqësinë për mundësitë e krijuara për studentët në UIBM, duke pasur parasysh kampusin modern, bibliotekën dhe kushtet e përgjithshme që janë krijuar. “Jam i lumtur që këtë fond librash ta dhuroj për bibliotekën universitare, që do të jetë në dispozicion të studentëve dhe gjithë dashamirësve të librit”, tha ai.

Ndërsa, drejtori për Informim dhe Komunikim me Publikun, Ahmet Jashari, i cili e pranoi këtë fond librash, e çmoi vullnetin e mirë të poetit, Mirsad Kuteli. “Ky fond librash pasuron edhe më tepër Bibliotekën Universitare në UIBM, për çka jemi shumë mirënjohes dhe shprehim falënderimin më të sinqertë për autorin e tyre”.