Konferenca E Rektoreve

Rektorët u pajtuan për mobilitet në kuadër të universiteteve publike shqiptare

Mobiliteti për stafin akademik dhe studentët brenda universiteteve publike shqiptare, është një prej objektivave të vendosura në Konferencën  II të Rektorëve të Universiteteve Publike Shqiptare, me temë bosht “Universitetet Publike Shqiptare Përballë Sfidave të Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë”, organizuar në Universiteti “Fan S. Noli”, në Korçë. Kjo u vlerësua si një nevojë e kohës që është shumë e realizueshme dhe praktike.

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, i cili mori pjesë në këtë konferencë i shoqëruar nga kryesuesi i Këshillit Drejtues, Ali Topalli, tha se kjo konferencë po e merr formën e vet duke u kthyer në një mjet bashkëpunimi ndërmjet këtyre universiteteve. “Konferenca ka kaluar në një frymë angazhimi dhe përkushtimi për t’u kthyer në një katalizator të bashkëpunimit ndëruniversitar shqiptar, në të mirë të studentëve, stafit akademik dhe rritjes së cilësisë në këto institucione”.

Ndër të tjera, rektorët u pajtuan që të  gjejnë forma konkrete për një bashkëpunim më të ngushtë në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe shkëmbim të stafit dhe të studentëve. Pikë tjetër dakordimi ishte hapja e programeve të përbashkëta studimi, për të realizuar diploma të dyfishta dhe të trefishta, sidomos në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, për programe studimi që ka rezultuar të suksesshme në tregun shqiptar të punës, çka do të ndikonte ndjeshëm në punësimin e të rinjve.

Ata u pajtuan që të angazhohen në rritjen e cilësisë së mësimdhënies përmes modernizimit të infrastrukturës dhe metodave të mësimit, duke krijuar një mjedis të ngrohtë dhe frymëzues pune për studentët, ku ata të ndjehen se janë të barabartë dhe të dobishëm, se mendimi i tyre është i vlefshëm.

Në mënyrë të veçantë, rektorët potencuan mbështetjen për përgatitjen e studentëve me kompetencat e duhura për profesionin e tyre, që ata të bëhen specialistë të zotë për t’u përballur me tregun e punës që po ndryshon vazhdimisht.

Ndryshe si sfidë u përmend ulja e numrit të studentëve për shkak të lindshmërisë së ulët, emigracionit apo dhe nga faktorë të tjerë.