Kd Ja

Rektori Musaj, informoi Këshillin Drejtues për ecurinë e mësimit online dhe procesin e riakreditimit

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr.Alush Musaj, ka informuar anëtarët e Këshillit Drejtues për ecurinë e mësimit online dhe procesin e riakreditimit institucional.  Kjo ishte pika e vetme e rendit të ditës në mbledhjen e  Këshillit Drejtues që u mbajt të martën.

Rektori Musaj, tha se pas fillimit të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, në UMIB është organizuar mësimi online duke rezultuar shumë i suksesshëm. “Për këtë bazohemi në pjesëmarrjen e studentëve në ligjëratat online, që ka qenë më e madhe sesa pjesëmarrja në ligjëratat e zakonshme në universitet”.

Ai gjithashtu foli edhe për aktivitetet tjera që janë mbajtur gjatë kësaj kohe, si konsultat online, mandej 5 konferenca gjithashtu online të organizuara nga Qendra për Inovacion dhe Ndërmarrësi, mbrojtja e temave online etj. “Ka qenë një mobilizim i jashtëzakonshëm i menaxhmentit, stafit akademik dhe administratës që të jenë në shërbim të studentëve në këtë kohë pandemie”.

Duke folur për procesin e riakreditimit insitucional, rektori Musaj, theksoi se përshtypjet pas takimit online me ekspertët ndërkombëtarë janë shumë të mira. “Është bërë një punë e madhe nga grupet e kyçura në procesin e riakreditimit dhe presim që të marrim rezultat pozitiv”, tha ai.