1

Rektori Musaj ju uron mirëseardhje studentëve të rinj në UIBM

Me rastin e fillimit të vitit akademik 2021/22 në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), të premten është organizuar pritje për studentët e rinj nga menaxhmenti dhe drejtuesit e njësive akademike. Mirëseardhje studentëve  ju ka uruar edhe rektori, prof.dr. Alush Musaj, i cili shoqërohej edhe nga prorektorët e UIBM.

Ai i njoftoi studentët për kushtet e punës në UIBM, për kampusin, stafin akademik dhe mundësitë që ofrohen. “Keni fatin që keni përzgjedhur UIBM për të studiuar, duke pasur parasysh se keni në dispozicion kampusin më të modern në vend, një staf akademik shumë profesional dhe të përkushtuar”.

Gjithashtu rektori Musaj përmendi edhe programet atraktive në UIBM, që ofrojnë perspektivë për studentët. “Ju uroj sukses në rrugëtimin tuaj të dijes dhe ju inkurajojmë që të jeni sa më kërkues prej stafit mësimor dhe administratës, në mënyrë që të rritet cilësia në institucionin tonë”, tha ai.

Rektori Musaj dhe prorektorët ishin pjesë e pritjes në Fakultetin  Ekonomik, ku foli edhe dekani, prof. asoc. dr. Qazim Tmava. Ai theksoi se zgjedhja e fakultetit është e një rëndësie strategjike, sepse fakulteti përcakton rrugën tuaj jetësore në planin afatgjatë. “Qëllimi i studimeve është që të mësoni të mendoni në mënyrë kritike dhe kreative, në mënyrë që më pas të ndryshoni realitetin për më mirë. Ky është kuptimi i jetës. Andaj, investimi në arsim nuk është vetëm një shpenzim, por investimi më fitimprurës në jetë”.

3