Akademik Minir Dushi

Rektori Musaj vlerëson lartë kontributin e akademik. Minir Dushit, për zhvillimin e jetës akademike në Mitrovicë

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), prof.dr. Alush Musaj ka zhvilluar një takim me akademik. Minir Dushin, ku është biseduar për organizimin e një aktiviteti për shënimin e 60-vjetorit të Shkollës së Lartë Teknike në Mitrovicë. Në kuadër të këtij aktiviteti gjithashtu planifikohet edhe ndarja e një çmimi për akademikun Dushi, si shenjë mirënjohje për kontributin e tij në zhvillimin e jetës akademike në Mitrovicë.

Poashtu u bisedua për realizmin e një dokumentari për jetën akademike në Mitrovicë, ku protagonist do të jetë akademik, Dushi, i cili ka qenë drejtori i parë i Shkollës së Lartë Teknike në Mitrovicë. Ai e mirëpriti këtë nismë dhe shprehu gatishmërinë që përkundër moshës të  jetë pjesë e dokumentarit.

Akademik. Dushi, shprehu kënaqësinë për të arriturat e sferës akademike në Mitrovicë, duke përmendur themelimin e Universitetit “Isa Boletini”, kampusin e ri universitar etj. Tha se ka qenë jashtëzakonisht i lidhur me Mitrovicën dhe studimet e larta në këtë qytet.

Rektori Musaj, e falënderoi akademikun. Dushi, për krejt kontributin e dhënë për zhvillimin e jetës akademike në Mitrovicë dhe për gatishmërinë që të ndihmoj për realizmin e një dokumentari dhe monografisë për Universitetin “Isa Boletini”. “Të jemi shumë mirënjohës për gjithçka që ke bërë për jetën akademike në Mitrovicë, duke na lënë një trashëgimi shumë të pasur dhe themele shumë të forta për zhvillimin e mëtutjeshëm”, tha ai.