Juri

Stafi akademik dhe studentët e  Juridikut morën pjesë në lansimin  e “Manualit Praktik pёr Sistemin e Drejtёsisё dhe Qasjen nё Drejtёsi’’

Stafi akademik dhe studentët e Fakultetit Juridik të UIBM-së, morën pjesë në eventin e parë lansues me titull: ‘’Manual Praktik pёr Sistemin e Drejtёsisё dhe Qasjen nё Drejtёsi’’, të cilin e ka organizuar dhe prezentuar Qendra për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve – Qendra për Ndërmjetësim Mitrovicë (‘’ADRC – MCM’’) nën moderimin e Zana Syla.  Prezentimin e gjerë të këtij Manuali e bëri ndërmjetësuesi i certifikuar Z. Bekim Ismajli. Ai shtoi se Manuali është përgatitur dhe publikuar në kuadër të projektit ”Drejt lehtësimit të qasjes në drejtësi në veri të Kosovës” të implementuar nga ADRC – MCM dhe të mbështetur nga National Endoëment for Democracy (‘‘NED‘‘). Në vazhdim Ismajli ofroi informacione dhe njohuri efektive dhe praktike për të drejtat e njeriut, sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe qasjen në drejtësi dhe kështu përmes këtij Manueli synon të kontribuoj drejt ngritjes dhe avancimit të vetëdijes dhe ndërgjegjësimit qytetar juridik dhe qasjes në drejtësi për të gjithë pa dallime.

Pas prezentimit të këtij Manuali, radhës i erdhi debatit të audiencës. Fillimisht, dekani i FJ, Islam Qerimi e falenderoj për ftesën që i ka bërë Fakultetit Juridik të UIBM-së, Qendra për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve – Qendra për Ndërmjetësim Mitrovicë (ADRC – MCM), si dhe e përgëzoj për këtë aktivitet të rëndësishëm në fushën e ndërmjetësimit, që do t’i shërbej edhe më shumë sistemit të drejtësisë në Kosovë për të zgjidhur një lëmi të gjerë të kontesteve apo lëndëve të grumbulluara.

Më tutje, debati u përqëndrua me fokus në interesimin e qytetarëve të regjionit të Mitrovicës në zgjidhjen e kontesteve nëpërmjet ndërmjetësimit si formë jashtëgjyqësore e zgjidhjes së kontesteve. Në lidhje me këto çështje pati shumë pyetje nga audienca për organizatorët e këtij eventi dhe ndërmjetësuesit e tjerë që ishin në sallë të cilët dhanë përgjigje profesionale duke përmendur të dhëna të argumentuara nga hulumtimet përkatëse. Në fund të këtij takimi, të pranishmit pranuan propozimin e dekanit të Fakultetit Juridik të UIBM-së, Qerimi, që në të ardhmen e afërt të organizohet edhe një takim i tillë në Fakultetin Juridik, ku në panelin e këtij takimi do të jenë edhe profesorët e këtij fakulteti, siç janë profesorët Arbnor Ajeti i cili ligjëron një lëndë të tillë, si dhe profesori Besnik Murati, i cili mban titullin edhe të ndërmjetësuesit të certifikuar.

 

Stafi akademik dhe studentët pjesëmarrës të Fakultetit Juridik ishin në përbërje nga:

  1. Asoc. Dr. Islam Qerimi, dekan;
  2. Ass. Dr. Arbnor Ajeti;
  3. Asistent, LL.M. Xhemajl Veliqi, PhD (c);
  4. Bleona Meholli, studente;
  5. Shpëtim Preteni, student;
  6. Donjeta Rrahmani, studente;
  7. Alban Azemi, student, si dhe
  8. Kaltrina Salihi, studente.