Prezantimi

Studentët e Ekonomikut tregojnë performancë të lartë gjatës punës praktike

Studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), që janë angazhuar në punë praktike në Bankën Raiffeisen janë shquar me përgatitjen e tyre profesionale. Kjo u tha nga drejtuesit e kësaj banke, të cilët prezantuan rezultatet e një hulumtimi sa i përket performances së këtyre studentëve.

Naim Haxha, menaxher rajonal i Raiffeisen Bank, tha se është vlerësuar performanca e 9 studentëve të UMIB-it, që kanë kryer punën praktike. Sipas tij, këta studentë janë dalluar prej të tjerëve me përgatitjen profesionale, përderisa ka nevojë që të punohet më tepër në aspektin e socializimit.

Haxha theksoi se vlerësimi është bërë për tri aspekte të ndryshme. “Është vlerësuar testi i aplikacionit me shkrim, mandej puna praktike dhe praktikantët që janë në marrëdhënie pune. Rezultatet janë përtej pritshmërisë dhe kjo tregon për përgatitjen e tyre të mirë”, tha ai.

Ky prezantim është mirëpritur nga menaxhmenti i UMIB-it dhe Fakultetit Ekonomik. Prorektorja për Financa, Ajtene Avdullahi, tha se ky vlerësim është një mënyrë jashtëzakonisht e mirë për të identifikuar gjendjen reale të përgatitjes së studentëve për tregun e punës si dhe përshtatjen e syllabusit.

Ndërsa dekani i Fakultetit Ekonomik, Qazim Tmava, falënderoi drejtuesit e Raiffeisen Bank për bashkëpunim dhe për mundësitë që ofrojnë për studentët e UMIB-it.