Foto 1 FTU

Studentët e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore vizituan bodrumin e verës “StoneCastle” në Rahovec

Një grup studentësh nga Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, nga niveli Master dhe viti i tretë Bachelor, realizuan një vizitë studimore në bodrumin e verës StoneCastle në Rahovec. Kjo vizitë u organizua në kuadër të lëndës Teknologjia e verës me qëllim të thellimit të njohurive mbi proceset teknologjike të prodhimit të verës.

Studentët u shoqëruan nga profesori Bahtir Hyseni, ndërsa u pritën nga një teknolog i kompanisë, i cili dha një shpjegim të detajuar të procesit të prodhimit të verës së kuqe – duke filluar nga vjelja e rrushit, fermentimi, e deri te faza e maturimit dhe ruajtjes së verës.

Gjatë vizitës, studentët treguan interes të madh dhe bënë shumë pyetje në lidhje me aspektet teknologjike të prodhimit, si dhe u interesuan për mundësitë e përfshirjes së tyre praktike gjatë sezonit të vjeljes.

Kjo vizitë përbën një shembull të mirë të lidhjes së teorisë me praktikën dhe kontribuon në përgatitjen profesionale të studentëve për tregun e punës në industrinë ushqimore.

Foto 2 FTU