IMG 63cdde0ff3eac42c260416b62731db97 V

Thellohet bashkëpunimi me Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) do të thellojë bashkëpunimin me Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë (UHZ) në fusha të ndryshme me interes reciprok. Për këtë u bisedua në një takim që sekretari i përgjithshëm i UIBM, Avdyl Beqiri, realizoi në UHZ, ku u prit nga rektori, prof.dr Armand Krasniqi.

Sekretari Beqiri e falënderoi rektorin Krasniqi për pritjen dhe gatishmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve. Ndërsa rektori Krasniqi, theksoi se bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave krijon mundësi më të mëdha për studentët, stafin akademik dhe administratën e universiteteve respektive.

Në takim, ku ishin të pranishëm bashkëpunëtorët e sekretarit Beqiri dhe rektorit, Krasniqi, u bisedua  për shkëmbimin e studentëve të cikleve të ndryshme studimi për periudha semestrale studimi ose për periudha të praktikave, shkëmbim të stafit akademik dhe administrativ, projekte të përbashkëta të hulumtimit, konferenca dhe punëtori të përbashkëta. Gjithashtu u potencuan edhe aspekte të tjera, si shkëmbime të përvojave në fushën e karrierës dhe bashkëpunimit me industri, shkëmbime përvojash në fushën e digjitalizimit etj.

IMG 63cdde0ff3eac42c260416b62731db97 V