Round Table For The Promotion Of The Mining Sector

Tryezë për promovimin e sektorit minerar

Rezervat minerare në Kosovë janë të mëdha, prandaj investimet duhet të orientohen në këtë sektor, duke pasur parasysh edhe kualifikimin e kuadrove. Kështu u tha të martën në tryezën me titull “Promovimi i sektorit minerar dhe rëndësisë së edukimit të të rinjve për zhvillimin ekonomik”, që u mbajt në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB).

Në tryezën që u organizua nga Fakulteti i Gjeoshkencave (FGJ), në bashkëpunim me  Institutin Cilësor për Hulumtime Analiza dhe Trajnime (iCHAT), në kuadër të realizimit të një projekti me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik,  u paraqiten me prezantime studentët e FGJ-së. Ata potencuan rëndësinë e investimeve në sektorin minerar, duke pasur parasysh mundësitë e mëdha që ofrohen për zhvillim ekonomik si dhe për punësimin e të rinjve.

Dekani i FGJ-së, Naser Peci, tha se organizimi i kësaj tryeze është një mundësi shumë e mirë për studentët që të prezantojnë punimet e tyre në fushën minerare. “Resurset e mëdha minerare që ka Kosova, paraqesin mundësi të mëdha zhvillimi, mirëpo fillimisht kërkohet një qasje shkencore në shfrytëzimin e tyre”, tha ai.

Në tryezë morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.