DSC06262

U mbajt Ceremonia e Diplomimit për studentët që kanë diplomuar në vitin akademik 2021/22

Ish – studentë, studentë, drejtues të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM),  mësimdhënës, familjarë etj, kanë marrë pjesë të mërkurën në Ceremoninë e Diplomimit për studentët që kanë diplomuar në vitin akademik 2021/22.  Në UIBM është bërë traditë që nëpërmjet këtyre ceremonive për çdo vit akademik të festohet bashkërisht diplomimi i studentëve.

Duke ju drejtuar të pranishmëve, rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, uroi të diplomuarit dhe njëkohësisht shprehu kënaqësinë që bashkërisht me familjarë po festojnë suksesin e tyre. “Sigurisht që ky është një moment i veçantë për të diplomuarit, por gjithsesi është edhe një ndjenjë dhe përjetim emocional edhe për familjet dhe mësimdhënësit, me të cilët keni rrugëtuar së bashku gjatë viteve që keni studiuar këtu”.

Rektori Musaj, theksoi se kjo është vetëm një etapë në jetën e të diplomuarve, por gjithsesi tepër e rëndësishme për të ardhmen. “Ju tashmë e dini rrugën tuaj dhe kjo i bën gjërat shumë më të lehta. Ne si Universitet jemi shumë krenar me sukseset tuaja si gjeneratë dhe si individë veç e veç. Duke parë të arriturat tuaja, ne shohim praktikisht edhe punën dhe përkushtimin e mësimdhënësve dhe asaj që ofrohet për studentë në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë”, tha ai.

Studentët e UIBM, sipas tij, tashmë janë bërë pjesë edhe e projekteve të ndryshme me karakter ndërkombëtar. Ai tha se ata kanë përfituar bursa studimi në universitete gjithandej Evropës, kanë përfituar përvoja që i duhen atyre dhe shoqërisë sonë. “Duke qenë të suksesshëm si individë, sigurisht do të jemi të suksesshëm edhe si Universitet dhe shoqëri në përgjithësi”.

Përvojën e mirë që kishte si student në UIBM dhe mandej rrugëtimin e suksesshëm në karrierë, e ndau me të pranishmit, Besnik Muratin. Në emër të studentëve foli kryetarja e Parlamentit Studentor, Ariona Rushiti, ndërsa Lumnije Tahiri, drejtoreshë e çerdhes “Gëzimi ynë”, u fokusua në  bashkëpunimin e mirë që ka me UIBM.

Në ndërkohë u shfaq edhe një video me studentët e dalluar të UIBM, që tashmë janë shndërruar në storie suksesi. Rektori Musaj, i shoqëruar nga dekanët e fakulteteve përkatëse ndau certifikatat për të diplomuarit, kurse krejt në fund në hapësirat e kampusit universitar u mbajt edhe ceremonia e hedhjes së kapelave.

Në vitin akademik 2021/22 në UIBM kanë diplomuar gjithsej 350 studentë në nivelin bachelor.

1