Konferenca Arsimi

U mbajt Konferenca për Arsimin e Lartë në Kosovë

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr. Alush Musaj, në cilësinë e kryesuesit të Konferencës së Rektorëve, ka marrë pjesë si panelist të martën në Konferencën për Arsimin e Lartë në Kosovë të organizuar nga Herasi. Pjesë e panelit, ku u diskutua për aspektet e zhvillimit të arsimit të lartë në Kosovë ishin edhe zëvendësministrja e Arsimit,  Edona Maloku Bërdyna, sekretari i parë i ambasadës austriake, Martin Schaller dhe drejtuesi i programit Heras, Aqif Emurli.

Rektori Musaj, tha se viti akademik 2021-2022 do të jetë një vit sfidash serioze, të cilat tashmë veç kanë filluar. “Është e rëndësishme që ne të fillojmë t’i formulojmë këto çështje dhe sfida si mundësi që hapësira e arsimit të lartë të evoluojë në drejtime të reja”.

Sipas tij,  arsimi i lartë dhe universitetet  janë shtyrë t’i përgjigjen situatave të reja gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, duke përfshirë organizimin e mësimit herë plotësisht në distancë [online] e herë të kombinuar. igurimin e cilësisë së mësimdhënies e mësimnxënies sidomos në programe e profile specifike që kanë kërkuar angazhimin e laboratore etj. “Institucionet e suksesshme do të zbatojnë mësimet e nxjerra nga viti i kaluar për t’u ripozicionuar për të ardhmen. Çështjet  që duhen marrë parasysh përfshijnë rimendimin e hapësirës së kampuseve, duke marrë parasysh rolin e të mësuarit virtual, rishikimin e kurrikulave me fokus drejt tërheqjes së studentëve të duhur, formësimin e qytetarëve dhe profesionistëve më të mirë, më të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre qytetare dhe mjedisore, tha ai.

Rektori Musaj theksoi se pandemia Covid-19 ka treguar nevojën e shtuar për bashkëpunim global në kërkimin shkencor, inovacionin dhe rritjen e kapaciteteve shkencore. Siaps tij, përgjigjet ndaj sfidave globale të tilla si kjo do të jenë në zemër të bashkëpunimit të ardhshëm ndërkombëtar, të mbështetura nga vlerat e integritetit dhe aksesit të barabartë që gjithashtu duhet të reflektohen në mënyrën se si drejtohen dhe qeverisen institucionet e arsimit të lartë.