Panairi

U mbajt “Panairi virtual i karrierës 2021”  

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) dhe Universiteti i Prishtinës (UP), me mbështetje të GIZ-it kanë organizuar të martën “Panairin virtual të karrierës 2021”. Në këtë edicion të “Panairit të Karrierës”, kanë marrë pjesë më shumë se 50 kompani dhe organizata si dhe më tepër se 1 mijë studentë dhe të interesuar të tjerë.

Fillimisht pjesëmarrësve ju kanë drejtuar me nga një fjalë rasti dy rektorët e universiteteve: rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj dhe rektori i UP-së, prof.dr. Naser Sahiti. Duke ju uruar sukses pjesëmarrësve, ata kanë shprehur kënaqësinë që përkundër rrethanave kanë mundur të organizojnë një aktivitet të tillë me rëndësi për studentët, të diplomuarit dhe biznesin.

Rektori Musaj,  tha se bashkëpunimi ndërmjet universitetit dhe biznesit, jo që është nevojë për është imperativ. Sa më shumë që ofrohemi si botë akademike dhe si biznes aq më shumë krijohet mundësia për të qenë të suksesshëm të dyja palët. Dhe kur ne jemi të suksesshëm atëherë është e suksesshme edhe vetë shoqëria”.

Sipas tij, UIBM ka krijuar mundësi të mëdha për të rinjtë e rajonit, të cilët duke u bërë pjesë e këtij institucioni të arsimit të lartë në Kosovë, njëkohësisht të bëhen pjesë e tregut të punës. “Përveç programeve, kabineteve, laboratorëve që ofrohen në UMIB, një segment tepër të rëndësishëm paraqet bashkëpunimi me kompanitë publike dhe ato private në vend”, tha ai.

Musaj theksoi se ngjarjet sikur “Panairi i karrierës”, jo vetëm që e pasurojnë kalendarin e aktiviteteve universitare, por në të njëjtën kohë  hapin shtigje të reja për të gjithë. Një ngjarje e tillë, tha ai, nuk do të mund të organizohej pa angazhimin e Qendrës për Zhvillim të Karrierës, Parlamentit Studentor, biznesit dhe mbështetjes nga GIZ-i.

Zyrtari i Lartë i QZHK-së në UIBM, Alban Fazliu, falënderon kompanitë e rajonit të Mitrovicës për bashkëpunim dhe për pjesëmarrje në panair.