Tryeza E Ju

U mbajt tryeza e rrumbullakët me temë: “Veprimet që duhet të ndërmarrim si shoqëri në zhvillimin e mëtutjeshëm të mbarë shtetit”

Organizuar nga Fakulteti Juridik dhe Fakulteti i Edukimit në Universitetin “Isa Boletini“ në Mitrovicë (UIBM)  është mbajtur të enjten një tryezë e rrumbullakët me temë: “Veprimet që duhet të ndërmarrim si shoqëri në zhvillimin e mëtutjeshëm të mbarë shtetit”.  Kjo tryezë ku janë prezantuar 15 kumtesa të studentëve është organizuar me rastin e festave të nëntorit.

Panelistë ka qenë u.d. dekani i Fakultetit Juridik, prof.asoc.dr. Islam Qerimi dhe dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. asoc.dr. Besim Gollopeni. Ata fillimisht kanë falënderuar studentët e pranishëm për interesimin si dhe u kanë uruar festat e nëntorit: 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, Paraqitjen Publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

U.d. dekani i Fakultetit Juridik, prof.asoc.dr. Islam Qerimi, tha se tryeza “Veprimet që duhet të ndërmarrim si shoqëri në zhvillimin e mëtutjeshëm të mbarë shtetit”, duket se është më së e qëlluar dhe i përshtatet më së miri rrjedhave aktuale nëpër të cilat po kalon shoqëria shqiptare. “Sot kjo ditë kur po zhvillohet kjo tryezë e rrumbullakët shkencore duhet të vështrohet si një moment reflektimi për rolin që duhet të luajmë të gjithë së bashku për konsolidimin e shtetit të së drejtës jo vetëm në shtetin tonë të Kosovës por edhe Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Kosovë Lindore dhe Mal të Zi“.

Ndërsa, dekani i Fakultetit të Edukimit, prof.asoc. dr. Besim Gollopeni, duke folur për veprimet që duhet të ndërmerren si shoqëri në zhvillimin e mëtutjeshëm të mbarë shtetit, theksoi se institucionet, shteti dhe shoqëria nuk ndërtohen me fjalë boshe, por me vepra. “Të gjithë anëtarët e shoqërisë jemi të obliguar të punojmë sa me shumë dhe kësisoj do e ndihmojmë zhvillimin shoqëror dhe shtetin“, tha ai.

Pas dekanëve kumtesat i paraqiten edhe 15 studentë, të cilat nga këndvështrimet e tyre profesionale përmenden shumë çështje të cilat janë arritur deri më tani në themelimin dhe zhvillimin e shteteve shqiptare. Tryeza  vazhdoi me debat në mes të studentëve të dy fakulteteve.