
U mbajt tryeza: “Të arriturat dhe sfidat e UMIB-it në 7-vjetorin e themelimit”
E arritura më e madhe në 7-vjetorin e themelimit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), vlerësohet kampusi i ri universitar, ndërsa si sfidë mosakreditimi institucional në vitin akademik 2019/20. Kjo u tha tryezën: “Të arriturat dhe sfidat e UMIB-it në 7-vjetorin e themelimit”, të organizuar nga Parlamenti Studentor, ku ishin të pranishëm edhe rektori, Alush Musaj, prorektorët, Ajtene Avdullahi dhe Behxhet Shala, dekanë, profesorë etj.
Rektori, Alush Musaj, fillimisht ju uroi 7-vjetorin e themelimit të UMIB-it studentëve dhe të pranishmëve të tjerë. Ai përgëzoi studentët për organizimin e kësaj tryeze, më qëllim të diskutimit të hapur nga studentët, stafi akademik dhe menaxhmenti për gjendjen në UMIB.
Rektori Musaj, tha se të arriturat janë rezultat i punës ekipore në UMIB. “Kemi qenë në objekte të improvizuara, ndërsa tani jemi në kampusin më të mirë në rajon. Është krijuar një situatë stabile edhe sa i përket stafit akademik dhe në përgjithësi institucioni është i konsoliduar”.
Ndërsa, sa i përket mosakreditimit institucional në vitin akademik 2019/20, ai theksoi se ka ardhur si një rezultat i një procesi jo të rregullt dhe të pabazuar në gjendjen faktike. “Tash kemi marrë të gjitha masat dhe jemi duke bërë përgatitjet e duhura që gjithçka të shkoj mirë dhe të akreditohemi si universitet”.
Kryetari i Parlamentit Studentor, Ensar Suma, falënderoi menaxhmentin për mbështetje sa i përket aktiviteteve studentore. Gjithashtu ai foli për rritje të përfaqësimit të studentëve në organet vendimmarrëse në UMIB.
Në tryezë studentët ngritën shqetësime të ndryshme sa i përket procesit mësimor. Gjithashtu u potencua nevoja që studentët të jenë më aktiv.