Presentation By Admovere

U prezantua hulumtimi për Fakultetin e Gjeoshkencave

Fakulteti i Gjeoshkencave (FGJ) në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” është me rendësi strategjike për vendin, prandaj si i tillë duhet të mbështetet që të jetë në shërbim të zhvillimit ekonomik në vend. Kështu u konkludua të martën në prezantimin e hulumtimit për këtë fakultet nga organizata “Admovere”, të mbështetur nga KFOS.

Në këtë aktivitet, përveç përfaqësuesve të organizatës që e ka realizuar hulumtimin, ishin të pranishëm edhe drejtues dhe anëtarë të Këshillit Drejtues, mandej rektori, Alush Musaj, dekani i FGJ-së, Naser Peci si dhe mësimdhënës e studentë.  Rektori Musaj, ka falënderuar për hulumtimin që është bërë, që do të shërbej si bazë e mirë për të kuptuar gjendjen reale dhe nevojat që ka FGJ-ja për të qenë në gjendje që të shndërrohet në një promotor të zhvillimit ekonomik.

Në anën tjetër, dekani, Naser Peci, tha se FGJ-ja është e lidhur me industrinë minerare. “Nuk mund të paramendohet zhvillimi i kësaj industrie në Kosovë pa kuadrot që dalin nga FGJ-ja”. Sipas tij, zhvillimi i këtij sektori do të motivonte të rinjtë që të bëhen pjesë e këtij fakulteti.

Aulonë Mehmeti nga “Admovere”, falënderoi të gjithë për mbështetje sa i përket realizimit të këtij hulumtimi. Sipas saj, raporti synon të vë në pah shkaktarët që rrezikojnë mbylljen e programeve të Fakultetit të Gjeoshkencave, si dhe pasojat që mbyllja e këtyre programeve do të sillte për ekonominë dhe industrinë e vendit.