Promovimi

U promovua libri  “Taktika Kriminalistike” (Taktika e marrjes në pyetje)

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë u promovua të shtunën libri  “Taktika Kriminalistike” (Taktika e marrjes në pyetje), me autorë: Arben Dashevci dhe Besnik Gjaka. Për librin kanë folur njohës dhe ekspertë të fushës së sigurisë, duke filluar me redaktorin përgjegjës, profesor, Ramadan Beshirin, përderisa në cilësinë e recensentëve folën: Prof. Dr. Reshat Maliqi, Prof. Dr. Avni Alidemaj dhe Prof.dr. Bashkim Selmani.

Fillimisht një fjalë përshëndetëse në emër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë e mbajti profesori, Avni Islami, zëvendëskryesues i Këshillit Drejtues.  Ai uroi  autorët  e librit, duke thënë se botimi i një libri gjithmonë ka qenë lajm, për më tepër në kohën e teknologjisë, kur duket se libri ka mbetur në plan të dytë. “Libri që po promovojmë sot është i një sfere profesionale, për çka kërkohet hulumtim, analizë, krahasim, punë. Këto kërkojnë durim dhe pasion, të cilin e kanë pasur dy autorët, duke na ofruar një botim që do të jetë në dorën e studentëve dhe ekspertëve të fushës”, tha ai.

Në emër të Komunës së Mitrovicës të pranishmëve ju ka drejtuar me një fjalë përshëndetëse drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Fahri Jashari, ndërsa më pas janë mbajtur fjalimet e redaktorit dhe recensentëve. Në fund dy autorët kanë falënderuar të gjithë ata që i kanë mbështetur për botimin e librit si dhe pjesëmarrësit në promovim.