Zagrebi

UIBM pjesë e punëtorisë “Rritja e Kulturës Kërkimore në Arsimin e Lartë në Kosovë” që po mbahet në Zagreb

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), prof. dr. Alush Musaj, dekani i Fakultetit të Edukimit, prof.ass.dr. Besim Gollopeni dhe anëtari i Këshillit Drejtues, prof. asoc. dr. Valdet Gjinovci, po marrin pjesë në punëtorinë “Rritja e Kulturës Kërkimore në Arsimin e Lartë në Kosovë”, që po mbahet në Universitetin e Zagrebit. Në këtë punëtori që është organizuar në kuadër të projektit “ResearchCult”, po marrin pjesë edhe drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të tjera të arsimit të lartë në Kosovë, si nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë, Kolegji IBC etj.

Në kuadër të punëtorisë që mbahet prej 30 nëntor deri më 03 dhjetor 2021, janë paraparë të zhvillohen 6 sesione, ku trajtohen shkëmbimi i partnerëve dhe progresi rreth krijimit të revistës shkencore si dhe qasjes së hapur në platforma kërkimore. Gjithashtu diskutohet për organizimin e seminarit mbi themelimin e revistës shkencore dhe udhëzimet për zhvillimin e standardeve kombëtare për revistat shkencore, për rregullat dhe praktikat për titujt akademik/shkencor dhe promovim etj.

Ky projekt ka për qëllim të mbështesë forcimin e kulturës së kërkimit në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë duke mbështetur forcimin e politikave dhe praktikave ekzistuese, si dhe krijimin e rregulloreve dhe mekanizmave të rinj. Nikoqir i kësaj punëtorie është rektori i Universitetit të Zagrebit, prof. dr. Damir Boras.