EUA

UIBM pranohet në Asociacionin Evropian të Universiteteve

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM) është pranuar në Asociacionin Evropian të Universiteteve (EUA), si anëtar individual i këtij asociacioni. Aplikimi i UIBM është miratuar nga Këshilli i EUA më 27 prill 2022.

Në njoftimin që i është dërguar rektorit të UIBM, prof.dr. Alush Musaj, shprehet gatishmëria për bashkëpunim në fusha të ndryshme me rëndësi për jetën akademike. Gjithashtu EUA falënderon interesimin e UIBM për të qenë pjesë e këtij asociacioni.

Rektori, prof.dr. Alush Musaj, shprehu kënaqësinë për pranimin si anëtar individual në Asociacionin Evropian të Universiteteve. “Është padyshim një lajm i mirë për UIBM, meqë përditë e më tepër po hapen mundësi të reja për bashkëpunim me organizata dhe universitete prestigjioze në Evropë dhe më gjerë”, tha ai.

EUA përfaqëson 850 universitete evropiane dhe konferenca rektorësh nga rreth 50 vende, duke përfshirë së fundi edhe UIBM. Ky asociacion promovon bashkëpunim ndërmjet universiteteve në fusha të ndryshme duke shkëmbyer përvojat më të mira.