ERMZ1248

UMIB-i përfiton dy projekte në kuadër të programit Erasmus+

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”(UMIB) ka fituar dy projekte në kuadër të programit Erasmus+. Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Kërkime Shkencore, prof.dr.Behxhet Shala, tha se deri me tani janë njoftuar se kanë kaluar dy projekte, në të cilat UMIB-i është partner.

Sipas tij, UMIB-i ka përfituar si partner në projektin “Fokusi në sigurinë e ushqimit”, ku bartës është Universiteti Lindor i Finlandës, ndërsa projekti tjetër është  “Kurrikula të dyfishta – Puna dhe Studimi në Bujqësi dhe Agrobiznes”, ku bartës ka qenë Universiteti “Hochschule Núrttingen” në Gjermani. “Ne kemi aplikuar gjithsej në 10 projekte për ndërtim kapacitetesh dhe 5 për mobilitet”, tha ai.

Rektori i UMIB-it, prof.dr.Alush Musaj, tha se projektet që janë realizuar këto vite në kuadër të programit të Erasmusit+  kanë pasur ndikim të madh në ngritjen e përgjithshme të cilësisë në universitet. “Projektet që janë realizuar qoftë si bartës, qoftë si partner me universitete tjera, kanë ofruar mundësi të mëdha për studentët dhe stafin akademik”, tha ai.

Rektori Musaj, tha se vazhdimisht kanë inkurajuar studentët dhe stafin akademik të shfrytëzojnë këto mundësi, meqë janë një mënyrë shumë e mirë për ngritje profesionale. “Jemi jashtëzakonsisht të kënaqur me këto projekte dhe shpresojmë se studentët dhe stafi akademik do të përfshihen edhe më tepër në to”.