Takimi Me Optimen

UMIB-i pjesë e projektit për zhvillimin e një sistemi gjithëpërfshirës të performancës për stafin akademik

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) do të jetë pjesë e projektit “Zhvillimi i një sistemi gjithëpërfshirës të performancës së stafit akademik për sistemin universitar në Kosovë”, që realizohet nga organizata joqeveritare “Optima”. Për t’u njohur më tepër për këtë projekt është zhvilluar edhe një takim ndërmjet drejtuesve të UMIB-it dhe atyre të  OJQ “Optima”, të cilët kanë dhënë detaje për zhvillimin e projektit.

Drejtori ekzekutiv i OJQ “Optima”,  Qëndrim Lluka dhe ekspertja e arsimit të lartë, dr. Sharon Jaynes Hart, folën për proceset e punës që do të fillojnë për implementimin e projektit. Sipas tyre, të gjitha universitetet publike në Kosovë do të punojnë së bashku për të krijuar një model praktik të një sistemi gjithëpërfshirës të performancës së mësuesve akademik, i cili do t’i plotësojë nevojat specifike, shqetësimet dhe karakteristikat e stafit mësimor dhe administratës të secilit universitet.

Poashtu u potencua se modeli do të përfshijë standardet dhe udhëzimet e duhura për cilësinë akademike dhe mësimdhënien siç përcaktohet nga Shoqata Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Agjencia e Akreditimit të Kosovës (AKA). “Qëllimi i programit është të zhvillojë një sistem gjithëpërfshirës të performancës së stafit akademik për të shtatë universitetet publike në Kosovë”, tha drejtori Lluka.

Në anën tjetër, ekipi i UMIB-it që përbëhej nga prof. ass. dr. Merita Shala, prorektore për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Zhvillim të Cilësisë, prof. dr. Behxhet Shala, prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Kërkime Shkencore, Elvis Feka, zyrtar i lartë për sigurim të cilësisë dhe dr.sc Zahir Qerkini, koordinator qendror për zhvillim akademik, falënderuan drejtuesit e OJQ “Optima” për mbështetjen dhe vlerësuan projektin si shumë të rëndësishëm. Palët u dakorduan që të zhvillojnë edhe takime tjera në mënyrë që ecuria e projektit të jetë sa më e mirë.