Universitetet bashkëpunojnë për t’u përballur me sfidat

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) dhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, do të bashkëpunojnë ngushtë për të gjitha sfidat që lidhen me çështjet universitare. Për këtë u dakorduan rektori i UMIB-it, Alush Musaj dhe homologu i tij nga UP-ja, Marjan Dema, në një takim të përbashkët që zhvilluan të enjten në Universitetin e Prishtinës.

Musaj, e uroi rektorin e UP-së për detyrën që ka marrë, duke i ofruar bashkëpunim në të gjitha fushat me rëndësi për të dy universitetet. “Bashkëpunimi i ngushtë me UP-në është shumë me rëndësi për Universitetin e Mitrovicës, duke pasur parasysh përvojën e gjatë të UP-së”, tha ai.

Në anën tjetër, rektori Dema, u shpreh i gatshëm për bashkëpunim në mënyrë që të përballen më lehtë me sfidat që kanë universitetet kosovare. “Ne do ta forcojmë bashkëpunimin me Universitetin e Mitrovicës, por edhe me universitetet tjera në vend, në mënyrë që bashkërisht të ecim në drejtim të rritjes së cilësisë së arsimit”, tha ai.

Në takim u bisedua edhe për marrëveshjen ndërmjet dy universiteteve për ndarje që është nënshkruar vitin e kaluar. Të dy palët u pajtuan që bashkërisht të gjejnë mënyrën më të mirë për zbatimin e saj pa u dëmtuar asnjëri universitet.