Pilot Projekti

Universiteti “Isa Boletini”, pjesë e projektit për rritjen e cilësisë së qumështit

Në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë është prezantuar të premten një pilot-projekt që ka të bëj me rritjen e cilësisë së qumështit në industrinë kosovare. Në projekt, përveç personelit akademik dhe studentëve të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, do të jenë të përfshirë ekspertë holandez si dhe kompani të ndryshme kosovare që merren me industrinë e qumështit.

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet universitetit dhe industrisë është mënyra më e mirë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. “Jemi shumë të kënaqur që po bëhemi pjesë e projekteve të këtilla tepër praktike dhe shumë frytdhënëse si për studentët dhe personelin tonë akademik, ashtu edhe për vetë industrinë kosovare”.

Rektori Musaj, tha se Universiteti “Isa Boletini”, po bëhet një qendër reference sa i përket bashkëpunimit të ngushtë me industrinë. Në këtë kontekst ai përmendi edhe projektin tjetër që ka të bëj me përgatitjen e ekspertëve për trajtimin e ujërave shkarkuese nga industria, ku poashtu kanë qenë të përfshirë studentë, profesorë dhe njerëz të bisnesit.

Gjatë prezantimit të këtij projekti, u bë e ditur se parashihet edhe shkëmibimi i përvojave ndërmjet universiteteve. Gjithashtu studentë dhe mësimdhënës nga Universiteti “Isa Boletini” do të kenë mundësinë që të qëndrojnë për një periudhë të caktuar në universitetet holandeze për t’u njohur me përvojat e tyre sa i përket bashkëpunimit me industrinë e qumështit.