Themelet e studimeve të arsimit të lartë në Mitrovicë u vunë me hapjen e Shkollës së Lartë Teknike në vitin 1961. Në vitin 1970 në kuadër të Fakultetit Teknik hapen degët e Xehetarisë, Teknologjisë dhe Metalurgjisë, fillimisht në Mitrovicë, viti shkollor 1970/71, për të vazhduar pastaj në Prishtinë deri në themelimin e Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë në vitin 1974. Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë është themeluar me Ligjin mbi themelimin e Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë nga Kuvendi i Kosovës me datën 22 korrik 1974. Në vitin e themelimit studimet u organizuan në këto degë: Xehetari, Teknologji dhe Metalurgji, kurse në vitin shkollor 1980/81 hapet edhe dega e Gjeologjisë.

Themelimi i Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë kishte një rendësi të madhe për tërë Kosovën. Ishte Kombinati Xehetaro-Metalurgjik “Trepça” që kishte nevojë të madhe për kuadro inxhinierie që dilnin nga Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë. Kuadrot e dala nga Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë dhe Shkolla e Lartë Teknike kanë zënë vend të merituar edhe në Kombinatin Elektroenergjetik të Kosovës, dhe tërë industrinë dhe ekonominë e Kosovës.

Studentët që studionin në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë dhe Shkollën e Lartë Teknike ishin nga të gjitha trevat e Kosovës, marr parasysh se këto degë studioheshin vetëm në Mitrovicë. Një numër i madh i studentëve vinin edhe nga viset tjera shqiptare, nga Maqedonia dhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja dhe Mali i Zi. Shumë student – shtetas të huaj u regjistruan dhe diplomuan në këtë fakultet, posaçërisht nga Lindja e Mesme.

Mbi bazën e këtyre fakulteteve dhe duke u bazuar në traditën mbi 60 vjeçare të arsimit të lartë në Mitrovicë, Qeveria e Republikës së Kosovës me datën 06.03.2013 ka themeluar Universitetin Publik të Mitrovicës, kurse Kuvendi i Kosovës me datën 31 maj 2013 ka ratifikuar vendimin. Në bazë të Statutit të Përkohshëm, miratuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në kuadër të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”(UMIB) funksionojnë gjashtë fakultete: Fakulteti i Gjeoshkencave (FGJT), Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore (FTU), Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike (FIMK), Fakulteti Juridik (FJ), Fakulteti Ekonomik (FE) dhe Fakulteti i Edukimit (FE).

Në kuadër të këtyre fakulteteve funksionojnë gjithsej 23 programe të studimit në nivelin bachelor dhe master. Në procesin mësimor janë të angazhuar gjithsejtë 69 mësimdhënës dhe asistentë në marrëdhënie të rregullt pune. Prej tyre 53 janë doktor shkence dhe 15 janë me magjistraturë ose master të përfunduar, sipas thirrjeve: 15 profesorë të rregullt, 14 profesorë të assocuar, 21 profesorë asistentë, 4 ligjërues dhe 15 asistentë.