Rektori Musaj

Urimi i rektorit Musaj, për Vitin e Ri 2020!

Të nderuar drejtues dhe anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”

Të nderuar profesorë, studentë dhe punëtorë të administratës

Të nderuar miq, bashkëpunëtorë dhe partnerë të UMIB-it

Të nderuar qytetarë

Më lejoni që në emër të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) dhe në emrin tim personal t’ju uroj Vitin e Ri 2020. Urime!

Me këtë rast, dua t’i falënderoj të gjithë ata që në forma të ndryshme kanë qenë dhe janë të lidhur me Universitetin “Isa Boletini”, dhe që e kanë ndihmuar zhvillimin e këtij institucioni të arsimit të lartë në Kosovë. Ka qenë një vit sfidues për Universitetin tonë, por në të njëjtën kohë edhe një vit reflektimi. Përkushtimi i organeve drejtuese dhe i gjithë atyre që janë pjesë e UMIB-it, për një institucion të zhvilluar, paraqet një frymë të re në rrugëtimin tonë.

Sfidat e kanë ndjekur zhvillimin  e arsimit të lartë në Mitrovicë prej fillimeve në vitet ’60, por vendosmëria ka qenë më e madhe. Kjo vendosmëri është bartur nëpër breza, prandaj jemi shumë të motivuar që ta zhvillojmë dhe vazhdojmë jetën akademike në qytetin buzë Ibrit, e cila nuk është ndërprerë as në kohën e luftës. Ne do të vazhdojmë të jemi përkrah studentëve, profesorëve dhe të gjithë atyre që e duan një universitet të zhvilluar dhe konkurrent. Ju faleminderit për mbështetje! Qoftë një vit i mbarë për ju dhe për familjet tuaja!  Gëzuar!

Rektori:

Prof.dr.Alush Musaj