Foto5

Viti akademik 2022/23 nisi me ceremoni për pritjen e studentëve të rinj

Me rastin e fillimit të vitit akademik 2022/23, Parlamenti Studentor në  Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), ka organizuar një ceremoni pritjeje për studentët e rinj. Pjesë e ceremonisë ishte edhe rektori, prof.dr. Alush Musaj, i shoqëruar nga prorektorët, dekanët, prodekanët, mësimdhënësit, drejtuesit e Parlamentit Studentor etj.

Rektori Musaj, ju uroi mirëseardhje studentëve të rinj në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë.  Ai shprehu mbështetjen e tij dhe të menaxhmentit, për studentët, në mënyrë që ata të jenë të suksesshëm. “Suksesi juaj është edhe suksesi ynë, është edhe suksesi i familjeve tuaja, të cilat presin t’i bëni krenarë me të arriturat tuaja”.

Duke ju drejtuar studentëve që nisin studimet për herë të parë në këtë tetor, ai tha se ata kanë fatin që janë pjesë e këtyre gjeneratave që kanë në dispozicion një kampus modern universitar. “Gjenerata të tëra para jush kanë studiuar në rrethana të jashtëzakonshme, pa objekte e salla, nëpër hapësira të improvizuara. Ndërsa mundësitë që ju ofrohen juve tani, duke pasur parasysh kushtet komode, duhet t’i shihni si motiv shtesë për t‘i shndërruar këto vite studimi që keni përpara në storie suksesi”.

Rektori Musaj, theksoi se para dy ditësh u shënua 25 vjetori i protestave të studentëve që u mbajtën më 1 tetor 1997, të cilët kërkonin të ktheheshin në objektet e tyre universitare të uzurpuara nga regjimi serb në atë kohë. “Pas tyre ishte rendi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, pjesë e të cilës u bënë edhe shumë studentë, të cilët tash janë dëshmorë. Ne jemi mirënjohës për jetë për sakrificën e tyre. Ndërsa, ju si studentë jeni me fat që prej jush nuk kërkohet tjetër, vetëm punë, përkushtim dhe vendosmëri për të qenë të suksesshëm. Këtë e kemi obligim edhe moral ndaj atyre që bënë gjithçka për ne”.

Në fund ai uroi studentët e rinj për fillimin e jetës së tyre studentore dhe për sukses në studime. “Studioni dhe bëhuni kërkues të dijes. Jetoni dhe zgjedhni të jeni të suksesshëm dhe të lumtur”!

Të pranishmëve ju drejtuan me fjalë rasti edhe kryetarja e Parlamenti Studentor, Ariona Rushiti dhe mësimdhënësi, prof.dr. Zahir Çerkini. Ata ju uruan suksese dhe mbështetje studentëve të rinj.

Pas ceremonisë, rektori Musaj i shoqëruar nga prorektorët dhe kryetarja e Parlamentit Studentor, kanë vizituar të gjitha fakultetet ku janë takuar me dekanët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Në këto takime dekanët e njoftuan rektorin dhe prorektorët për fillimin e procesit mësimor në njësitë e tyre akademike, ku gjithçka ka nisur mirë.

Foto1