Rektori Musaj priti në takim drejtuesit e SBASHK-ut

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, ka pritur të hënën në takim kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës në Kosovë (SBASHK), Rrahman Jasharaj dhe kryetarin e Sindikatës së Universiteteve, Shkencës dhe Kulturës (SUSHK), Bardh Bardhi, me të cilët ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit. Rektori Musaj, falënderoi drejtuesit e sindikatave për punën dhe angazhimin e tyre në të mirë të punëtorëve, por edhe vetë institucioneve.

Në takim ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Sindikatës së punëtorëve të UMIB-it, Afrim  Çelaj, u diskutua për çështje të ndryshme që lidhen me punëtorët e universiteteve, qoftë stafit akademik, poashtu edhe atyre të administratës. Si shqetësim u ngrit çështja e pagave të punëtorëve të administratës së universiteteve, për të cilët ende nuk janë përcaktuar koeficientet.

Rektori ofroi mbështetje për përfaqësuesit e sindikatave, të cilët janë duke u angazhuar për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve, në këtë rast të atyre nëpër universitete. “Vlerësojmë punën dhe angazhimin tuaj dhe shprehim gatishmërinë tonë për t’ju mbështetur në misionin tuaj fisnik”, tha rektori Musaj.

Në anën tjetër, drejtuesit e sindikatave e falënderuan rektorin për mbështetje dhe uruan për kampusin e ri universitar në Mitrovicë.

Sindikata 1