Akademik Nushi,,

Akademik Minir Dushi, vizitoi Universitetin “Isa Boletini”

Akademik Minir Dushi,  ish-drejtori i parë i Shkollës së Lartë Teknike (SHLT) në Mitrovicë, ka vizituar të mërkurën Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM).  Ai është pritur nga rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj si dhe dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, prof.dr. Naser Peci.

Akademik Dushi, ka shprehur kënaqësinë që 60 vjet pas themelimit të SHLT-së, Mitrovica është shndërruar në një qendër universitare. “Unë jam kthyer sot në shtëpinë time dhe ndjehem jashtëzakonisht i emocionuar kur shoh këtë kampus modern dhe këto kushte kaq të mira për studentët dhe stafin akademik”, tha ai.

Dushi u interesua për ecurinë e punëve në UIBM, për studentët, stafin akademik dhe aktivitetet shkencore. Ai inkurajoi stafin akademik për angazhim më të madh, duke pasur parasysh kushtet dhe mundësitë që kanë.

Në anën tjetër, rektori Musaj, falëndëeroi akademik Dushin në vigjilje të 60-vjetorit të SHLT-së. “Jemi të lumtur që kemi sot në UIBM një personalitet të rrallë, i cili gjithë jetën ka qenë i lidhur me jetën akademike në qytetin e minatorëve“.

Ai shprehu mirënjohjen më të thellë për kontriibutin e madh që akademik Dushi ka dhënë për zhvillimin e institucioneve të arsimit të lartë në Mitrovicë. “Të gjitha etapat e zhvillimit të arsimit të lartë në Mitrovicë janë të ndërlidhura me emrin e akademik Minir Dushit, ndaj të cilit përkulemi me respektin më të madh“, tha ai.