Fimk

FIMK bashkëpunon me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike (FMIK) do të bashkëpunojë me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” (KRU) me qëllim të ngritjes profesionale të studentëve. Për të përcaktuar fushat e bashkëpunimit është nënshkruar edhe një Memorandum Bashkëpunimi nga dekani i FIMK-ut, prof.asoc.dr. Faton Merovci dhe kryeshefi Ekzekutiv i KRU -së, Bashkim Kurti.

Memorandumi mbështetet në interesat e përbashkëta të FMIK-ut dhe KRU -së “Mitrovica”, që kanë për qëllim avancimin dhe ngritjen e arritjeve profesionale në arsimimin e lartë, bashkëpunimit shkencor, arsimor dhe akademik në mes të institucioneve, hapjen e mundësive të reja të bashkëpunimit për studentët, stafin akademik dhe administrativ. Me rëndësi të veçantë në kuadër të kësaj marrëveshje bashkëpunimi është krijimi i mundësive për mësimdhënësit dhe studentët, të cilët do të rekrutohen në ambientet e KRU-së për realizimin e punës së praktikës profesionale.

Në Memorandumin e nënshkruar janë përcaktuar edhe përgjegjësitë e palëve. Në këtë kontekst, ndër të tjera, KRU-ja merr obligim që të krijojë kushte pune për studentët, të cilët janë të obliguar të qëndrojnë në objektet e KRU-së për orët e punës së praktikës profesionale të cilat janë të përcaktuara në planprogramin e studimeve. Në anën tjetër,  FIMK do të marrë obligim që të respektojë parimin e konfidencialitetit lidhur me këtë marrëveshje, si dhe pavarësinë e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal – “Mitrovica”.

Në përmbyllje të projektit do të realizohet prezantimi i punës dhe mbrojtja publike (në ambientet e fakultetit) e punës praktike nga studentët.