Ditaaa

Me “Ditën e hapur”  u shënua 9 -vjetori i themelimit të UIBM

Me rastin e 9 – vjetorit të themelimit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), Qendra për Zhvillim të Karrierës dhe Parlamenti Studentor, kanë organizuar të premten “Ditën e hapur”, ku përveç kolektivit të UIBM kanë pjesë edhe nxënës të shkollave të mesme nga Komuna e Mitrovicës. Me këtë rast Këshillat e Studentëve nga njësitë akademike kanë prezantuar për të pranishmit punën që bëhet në UIBM si dhe  mundësitë që ofrohen për të rinjtë që duan të studiojnë në këtë universitet.

Paraprakisht është mbajtur edhe një ceremoni solemne, ku përveç menaxhmentit të UIBM, studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme, ishin të pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri dhe kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Vesa Broja.  Rektori i UIBM, prof.dr. Alush Musaj, u ka uruar mirëseardhje të pranishmëve dhe ka shprehur urimet për 9-vjetorin e themelimit të UIBM.

Ai tha se nëpërmjet këtij aktiviteti, njëkohësisht shënohen përvjetorët e themelimit dhe shpaloset puna dhe mundësitë që ofron Universiteti “Isa Boletini” për të rinjtë që duan të bëhen pjesë e këtij institucioni akademik. “Kampusi universitar që kemi tani në Mitrovicë, para 9 vjetësh dukej vetëm një ëndërr  e mirë. Tashmë është realitet dhe për këtë i jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët”.

Duke përmendur të arriturat dhe sfidat me të cilat është përballur UIBM këto vite, ai falënderoi të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi.  “Në këtë dritë, na gëzon suksesi i studentëve tanë, që janë dalluar në studime, që kanë fituar në gara, që janë bërë pjesë e projekteve ndërkombëtare etj, duke krijuar një imazh të mirë për Universitetin tonë”, tha ai, duke ftuar nxënësit  që të shfrytëzojnë këto mundësi që ofrohen për ta jetuar një jetë të vërtetë studentore dhe për të pasur një diplomë që garanton të ardhme.

Të pranishmëve ju ka drejtuar edhe nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, i cili ka uruar për 9 – vjetorin e UIBM dhe ka shprehur vlerësimet për punën e mirë që është bërë. Gjithashtu ai ka shfaqur gatishmërinë për bashkëpunim të plotë ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe UIBM në të mirë të studentëve dhe të komunitetit në përgjithësi.

Ndërsa, kryetarja e Parlamentit Studentor, Ariona Rushiti, ftoi të rinjtë që të bëhen pjesë e UIBM, si një mundësi për ta ndërtuar të ardhmen e tyre. Ajo vuri theksin në kushtet e mira të punës, qasjen serioze të stafit dhe programet atraktive.

Studentët që kishin përgatitur prezantimet për fakultetet e tyre u vizituan edhe nga zëvendëministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci dhe rektorët e universiteteve publike, të cilët ishin pjesë e Konferencës së Rektorëve që u mbajt në UIBM.